Pas tre ditësh përpjekjesh të pandërprera, vatra e madhe e zjarrit në dushqet e fshatit Mallunxë, në Bashkinë e Matit, është vënë nën kontroll dhe izoluar nga strukturat e mbrojtjes civile, Forcat e Armatosura dhe shërbimet zjarrfikëse.
Situata vijon të jetë kritike në njësinë administrative Ulëz, pasi flakët po lëvizin me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara. Në Lundër, zjarri është afruar pranë banesave, duke shkaktuar alarm te banorët, të cilët, pavarësisht rrezikut, nuk pranojnë të largohen pasi nuk duan të lënë pas mundin e një jete.
Të lidhura
None found
Rreziku është i lartë edhe në Madhesh, ku flakët kërcënojnë një shtëpi dhe një fermë që ka më shumë se 200 koshere bletësh. Ato mund të përfshihen nga zjarri në çdo moment.
Në terren vijojnë luftën kundër zjarrit shërbimi pyjor, forcat zjarrfikëse, Ushtria dhe vullnetarët e zonës.
Ndërkohë, përhapja e shpejtë e flakëve drejt luginës së Shkopetit, ku ndodhen dhjetëra banesa të rrezikuara drejtpërdrejt, ka shtuar kërkesat e autoriteteve vendore dhe të banorëve për ndërhyrje urgjente nga ajri me helikopterë, me qëllim ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të zjarrit.
