Duke filluar nga sezoni sportiv 2026–2027, në kampionatet kombëtare do të zbatohet detyrimi për aktivizimin e futbollistëve të rinj, pas miratimit të rregullit nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Të lidhura
None found
Vendimi përfshihet në strategjinë e FSHF-së për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Përmes tij synohet t’u krijohen më shumë hapësira lojtarëve të rinj dhe të ndërtohet një bazë më e konsoliduar për ekipet kombëtare.
Rregulli synon gjithashtu të shtojë minutat e aktivizimit për futbollistët e rinj shqiptarë në garat kombëtare, të forcojë konkurrencën mes lojtarëve vendas dhe të krijojë një model të qëndrueshëm zhvillimi për dekadën e ardhshme.
Në bazë të rregullores së miratuar, çdo ekip pjesëmarrës në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë duhet të përfshijë në formacionin titullar një futbollist të lindur në vitin 2007 ose më vonë, i pajisur me pasaportë shqiptare. Ky lojtar duhet të qëndrojë në fushë për të paktën një pjesë loje.
Për klubet e Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë dhe Kategorisë së Tretë, kërkesa parashikon që të paktën një lojtar me pasaportë shqiptare, i datëlindjes 2007 e në vijim, ta nisë takimin si titullar dhe të luajë gjatë gjithë ndeshjes, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në rregullore.
Nëse futbollisti që përmbush kushtet duhet të zëvendësohet, në vend të tij kërkohet të aktivizohet një tjetër lojtar që plotëson të njëjtat kritere për moshën dhe shtetësinë. Kur një zëvendësim i tillë nuk mund të realizohet, ekipi do ta vijojë ndeshjen me një futbollist më pak për aq kohë sa mbetet në fuqi detyrimi për aktivizimin e lojtarit të ri.
Kjo dispozitë do të aplikohet në të gjitha takimet e kampionateve të përfshira, si dhe në Kupën e Shqipërisë. Për regjistrimin e futbollistëve dhe zbatimin e plotë të kërkesave të rregullores përgjegjësinë do ta mbajnë klubet.
