Java e dytë e “Abissnet Superiore” përfundoi pas ndeshjeve të luajtura nga e premtja deri të hënën, brenda një harku kohor prej tre ditësh. Në vijim, “Newsport.al” ka përzgjedhur futbollistët që lanë gjurmë në këto takime, si dhe trajnerin që u dallua më shumë.
Të lidhura
None found
Aldo Teqja (Dinamo) – Ndërhyrjet e portierit ishin vendimtare që Dinamo të qëndronte në lojë që prej fillimit të përballjes. Fitorja 0-1 ndaj Skënderbeut lidhet edhe me paraqitjen e rëndësishme të gardianit të bluve.
Ysni Ismaili (Dinamo) – Në krahun e djathtë vijon të jetë zgjedhja e pakontestueshme.
Arlind Kurti (Laçi) – Qendërmbrojtësi i Laçit u përball me sukses me aksionet e Partizanit dhe bëri të pamundurën për t’i ndalur ato. Një pikë e fortë e vërtetë në mbrojtjen e kurbinasve.
Vasilios Zogos (Teuta) – Shënoi një prej golave në fitoren ndaj Tiranës. Përveçse ishte i vëmendshëm ndaj sulmeve të bardhebluve, ai u shfaq edhe si një alternativë e rëndësishme në prapavijën e “Djemve të Detit”.
Andre Yago (Egnatia) – Roli i mbrojtësit të krahut nuk ia ka zbehur instinktin për të shënuar. Ai realizoi golin e fundit në triumfin 1-3 të Egnatias ndaj Vorës.
Edon Murataj (Vllaznia) – Ishte autor i golit të parë në ndeshjen Elbasani – Vllaznia.
Klevi Qefalija (Dinamo) – Pasimi i tij vendimtar i dha mundësinë Florenc Farrukut të shënonte në fitoren 0-1 të Dinamos kundër Skënderbeut.
Stiven Bibo (Laçi) – Me dy golat e tij vendosi fitoren e Laçit përballë Partizanit. Realizimi i parë ishte një goditje e fuqishme, ndërsa kjo ishte ndeshja e dytë radhazi ku ai paraqitet në nivel të lartë.
Alessandro Albanese (Egnatia) – Sulmuesi italian ishte pjesë e përmbysjes ndaj Vorës, duke shënuar një prej golave. I aktivizuar në pjesën e dytë, ai u kthye menjëherë në një nga protagonistët e takimit.
Rubin Hebaj (Elbasani) – Goli i tij në pjesën e dytë i siguroi Elbasanit një pikë me shumë vlerë. Në repartin ofensiv, ai vazhdon të përbëjë një rrezik të vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.
Muço Boçi (Teuta) – Kontribuoi në fitoren 3-1 të durrsakëve ndaj Tiranës, duke shënuar një prej tre golave të skuadrës. Për paraqitjen e tij u vlerësua edhe me çmimin “Lojtari i Ndeshjes”.
Nevil Dede (Egnatia) – Trajneri i Egnatias meriton të cilësohet si më i miri i javës. Vendimi për të hedhur titullarët në fushë, ndërsa ekipi po humbiste 1-0 ndaj Vorës, rezultoi përcaktues për përmbysjen dhe humbjen e parë të kundërshtarit në kampionat. Aktualisht, Egnatia kryeson renditjen me pikë të plota.
