Finale, derbi dhe miliona: Superiorja është “zjarr” sot

Superiorja ka ardhur në javën e 24-t të saj dhe gara ka nisur të jetë shumë e fortë, teksa çdo ndeshje konsiderohet si finale. Dje u luajtën dy, ndërsa sot zhvillohen tre betejat e mbetura.

Në 16:00, në Durrës Teuta ka detyrën e vështirë të mposhtë Kastriotin, skuadër shumë agresive dhe e fortë. Krutanët janë deklaruar tashmë si një nga ekipet më të vështirë për t’u mundur në Superiore.

Në 13:00 luhet një finale në Korçë. Skënderbeu pret skuadrën e Laçit, që vjen më shumë se e motivuar në këtë ndeshje. Kurbinasit kanë shansin e artë të marrin kreun e renditjes, pas asistit të Bylisit dje, që përmbysi Vllazninë në “Loro Boriçi”.

Ndërkohë, sot nuk është ditë e zakonshme për kryeqytetin tonë, Tiranën sepse luhet derbi i madh i saj, mes Tiranës dhe Partizanit, dy prej skuadrave më të forta aktualisht dhe më me histori në vend.

Beteja nis në 13:00, në “Selman Stermasi”, aty ku Tirana luan finalen e madhe për të hyrë në garë për titullin. Bardheblutë do korrnin suksesin e katërt radhazi, nëse fitojnë sot.

Nga ana tjetër Partizani vjen pas një barazimi me Apoloninë e një humbje shokuese me Skënderbun dhe do tentojë pikën e kthesës sot ndaj rivalëve të urryer të qytetit.

Derbi ka motivim të madh nga ana sportive, por paratë nuk janë kurrë të tepërta. Presidentët e të dy ekipeve, Halili dhe Demi, kanë gati “thesin” me para në rast fitoreje të ekipeve të tyre sot.

Ndërkohë, megjithëse tifozët s’do jenë në stadium, derbi i tyre është i zjarrtë. Thumbimin e parë e bënë Ultras Guerrils, që u kapën me borxhet e Tiranës ndaj OSHEE, me këtë të fundit, që ka marrë masa, duke mos i siguruar energji për të luajtur ndeshjet me drita. Më poshtë ju njohim me formacionet e mundshme të derbit:

TIRANA-PARTIZANI, FORMACIONET E MUNDSHME

TIRANA (3-4-3): Bekaj – Toshevksi, Behiratche, Hoxhallari – Halili, Batha, Çelhaka, Ismajgeci – Torassa, Cale, Seferi. Trajner: Orges Shehi
PARTIZANI (4-3-3): Hoxha – Mala, Bitri, Belica, Hakaj – Broja, Murataj, Bardhi – Asani, Çinari, Cardoso. Trajner: Ilir Daja


Shtuar 13.03.2021 10:12