Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) është duke hartuar një program të ri financiar katërvjeçar me vlerë 5.5 miliardë euro, sipas një raportimi të agjencisë Associated Press.
Në kuadër të këtij plani, çdo federatë kombëtare anëtare pritet të përfitojë nga 21.5 milionë euro.
Të lidhura
None found
Propozimi i është dërguar më 28 shtator nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, drejtuesve të gjashtë konfederatave kontinentale. Vendimi përfundimtar do të merret në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s në dhjetor, ndërsa miratimi nga Kongresi pritet të ndodhë në mars të vitit të ardhshëm.
Në letrën që ka parë AP, Infantino thekson se përparimi financiar i organizatës duhet të kthehet në përfitim për zhvillimin e futbollit dhe për të gjithë anëtarët e saj.
“Propozimet tuaja vërtetojnë pajtimin e gjerë rreth parimit themelor se suksesi financiar i FIFA-s duhet t’i shërbejë futbollit dhe çdo anëtari të tij”, u shpreh Infantino.
Ai shtoi se është i bindur se mund të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme që do të ofrojë mbështetje të mjaftueshme për federatat kombëtare dhe për rritjen e futbollit në nivel ndërkombëtar.
Një pjesë e të ardhurave nga Kupa e Botës e fundit është parashikuar të kanalizohet për zhvillimin e këtij sporti përmes federatave kombëtare, konfederatave kontinentale dhe organizatave të tjera partnere.
Në versionin fillestar të planit, çdo federatë do të merrte dhjetë milionë dollarë, pra rreth 8.6 milionë euro, gjatë katër viteve. Propozimi i ri e ngre këtë shifër në 25 milionë dollarë, ose 21.5 milionë euro.
Sipas dy zyrtarëve që kanë njohuri mbi planin dhe që folën në mënyrë anonime, FIFA synon të përdorë më shumë se 3.5 miliardë dollarë nga rezervat e veta, të cilat u rritën falë të ardhurave nga Botërori që për herë të parë përfshiu 48 skuadra.
Të ardhurat e FIFA-s për periudhën financiare 2022–2026 pritet të arrijnë rreth 15 miliardë dollarë, ose 12.9 miliardë euro, një shifër kjo dukshëm më e lartë se parashikimet e mëparshme.





