Teuta vazhdon ecurinë e saj në këtë edicion të Abissnet Superiore. Përballë Dinamos, durrsakët u shfaqën më të fortë në rezultat, në lojë dhe në goditjet drejt portës kundërshtare.
Të lidhura
None found
Pas 7 javësh, bregdetarët kryesojnë me 19 pikë, falë 6 fitoreve radhazi dhe 1 barazimi. Pas fitores së sotme ndaj Dinamos, trajneri Edlir Tetova foli për mediat.
Tetova tha se 3 pikët e kënaqnin, ndonëse skuadra nuk kishte zhvilluar lojën e saj më të mirë. Ai shpjegoi se Teuta mbështetet te krahu i djathtë dhe se kjo nuk është diçka për t’u fshehur, por Dinamo ishte përgatitur për ta penguar. Kalimi i Malës në të majtë, sipas tij, ishte planifikuar pikërisht për të ndryshuar krahun e lojës.
Trajneri sqaroi se presingu i lartë i lojtarëve të Dinamos e kishte bërë të vështirë daljen nga e djathta. Ndryshimi i krahut me Malën funksionoi në aksionin e golit të Pedros. Në pjesën e dytë, inkursionet nga e djathta dhanë rezultat edhe te goli i Tolit.
Tetova pranoi se pati një periudhë prej 15 minutash kur Dinamo e ngjeshi Teutën pranë portës së saj, ndërsa mundësitë për zëvendësime ishin të kufizuara. Ai shtoi se nuk mbeti shumë i kënaqur me bllokun e ulët në pjesën e dytë, pasi nuk përputhej me atë që skuadra kishte përgatitur.





