Goli i Fisnik Asllanit nuk e ndryshoi fatin e Hoffenheimit, që pësoi një tjetër humbje, pavarësisht paraqitjeve pozitive të sulmuesit kosovar.
Të lidhura
None found
Në duelin me Besiktasin, të vlefshëm për xhiron e dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës, Asllani shënoi golin e tij të parë këtë sezon dhe të parin në garat evropiane. Megjithatë, ekipi gjerman u mposht 3-2.
Sulmuesi realizoi në minutën e 68-të, pas një aksioni individual ku u dallua për teknikën dhe qetësinë para portës. Më pas, dy gola të shpejtë nga Oh Hyeon-Gyu i siguruan fitoren skuadrës turke dhe Hoffenheimi mbeti pa pikë të rëndësishme.
Pas ndeshjes, Asllani foli për vështirësitë e ekipit dhe për mungesën e përqendrimit në çastet vendimtare, që sipas tij po ndikojnë në rezultatet e skuadrës.
“Është e vështirë ta përballosh këtë rezultat, sepse pritshmëritë tona ishin ndryshe. Synonim t’i fitonim të gjitha pikët ndaj një rivali të fortë. Në disa momente u mbrojtëm mirë, por nuk ruajtëm përqendrimin e nevojshëm kur duhej”, u shpreh ai për faqen zyrtare të klubit.
Edhe pse i zhgënjyer, futbollisti i Kosovës u kërkoi bashkëlojtarëve të vazhdojnë përpara, të mos humbin besimin dhe të përmirësojnë lojën në ndeshjet e ardhshme.
Asllani rikujtoi se skuadra kishte kaluar shumë vështirësi edhe sezonin e kaluar, por insistoi se nuk duhet të dorëzohet. Ai theksoi se Hoffenheimi duhet të ruajë vetëbesimin, të mbrohet si ekip dhe të jetë i përqendruar gjatë të gjitha 90 minutave, pasi në çdo ndeshje ka edhe periudha të mira.
Rezultatet e fundit të Hoffenheimit kanë qenë zhgënjyese. Në fundjavën e kaluar, skuadra u mposht nga Hamburgu, megjithëse Asllani dha një asistim. Edhe në atë takim, kontributi i tij nuk mjaftoi që ekipi të merrte një rezultat pozitiv.
Asllani, i cili shënoi edhe për Kosovën në barazimin 1-1 me Austrinë në Prishtinë, pret që skuadra të reagojë në përballjen e radhës me Borussia Monchengladbachun.
“Jam i bindur se përpjekjet tona duhet të shpërblehen në ndeshjen kundër Borussia Monchengladbachut”, përfundoi ai.
Në ndeshjen ndaj Besiktasit, Asllani qëndroi në fushë për të gjitha 90 minutat, ashtu si mesfushori Leon Avdullahu. Albian Hajdari, ndërkaq, mungoi për shkak të një tjetër lëndimi.





