Dy përballje tërheqëse sjellin sot në fushë Albi Mall Superligën e Kosovës

Edhe ditën e sotme (e mërkurë), Albi Mall Superliga e Kosovës sjell ndeshjet e radhës që i përkasin xhiros së nëntë, sipas kalendarit zyrtar të garës.

Të lidhura

None found

Java garuese u hap dje (e martë) me takimet Ballkani-Drita, e cila përfundoi 0-1, si dhe Gjilani-Drenica me rezultatin 3-0, ndërsa programi vijon sot me dy duele të tjera mjaft premtuese.

Në përballjen e parë, Feronikeli ’74, skuadra që këtë edicion u ngjit në elitën e futbollit kosovar, luan në shtëpi kundër Llapit në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.

Feronikeli ’74 vjen në këtë takim pas një barazimi 2-2 në fushën e Drenicës në Skenderaj, teksa Llapi ka pësuar tri humbje radhazi, me të fundit që ishte ajo ndaj Ballkanit me shifrat 1-0 në Suharekë.

Ndërkaq, dueli tjetër zhvillohet në Klinë, ku Dukagjini mirëpret Vushtrrinë, ekipin tjetër që u promovua këtë sezon në Superligë. Vushtrria regjistroi fitoren e parë të këtij kampionati në xhiron paraprake, duke mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1-0.

Të dy ndeshjet e ditës së sotme janë caktuar që të startojnë në orën 14:00.