Dukagjini është mposhtur 1-0 në udhëtim nga Lugano, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Të lidhura
None found
Skuadra zvicerane u shfaq më kërkuese dhe e nisi takimin me ritëm të lartë, duke krijuar disa mundësi të hershme. Megjithatë, mbrojtja kosovare ishte e pozicionuar mirë dhe arriti t’i përballonte sulmet e vendasve.
Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Renato Steffen. Pas asistimit të Behrens, ai u gjend në pozicionin e duhur dhe nga afërsia kaloi Luganon në epërsi.
Edhe Dukagjini provoi të rrezikonte përmes disa kundërsulmeve, por nuk arriti t’i shndërronte rastet e krijuara në gol.
Për skuadrën kosovare gjërat u komplikuan në minutat e fundit, kur Arvanit Rexhaj, i aktivizuar gjatë lojës, mori karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje të rëndë.
Lugano siguroi kështu një avantazh minimal pas përballjes së parë, por çështja e kualifikimit mbetet plotësisht e hapur para ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet javën e ardhshme në Kosovë.
