Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, nuk arriti ta shijonte siç dëshironte paraqitjen e tij të 100-të me fanellën kuqezi, pasi Shqipëria nuk shkoi më shumë se një rezultat zhgënjyes ndaj Luksemburgut në miqësoren e zhvilluar këtë mbrëmje.
Mbrojtësi shqiptar u shpreh i zhgënjyer për rezultatin, duke theksuar se ekipi duhej të kishte marrë fitoren në një ndeshje të tillë.
Të lidhura
None found
“Sigurisht që do të doja ta festoja ndryshe këtë moment të veçantë. Jam mes gëzimit për 100 ndeshjet me Kombëtaren dhe zhgënjimit për rezultatin. Duhej të fitonim dhe më vjen keq që nuk ia dolëm”, deklaroi Hysaj për “SuperSport”.
Ai komentoi edhe atmosferën në stadium, duke pranuar se mungesa e tifozëve u ndje, por shtoi se skuadra duhet të fokusohet te e ardhmja dhe të korrigjojë gabimet e bëra.
Sipas Hysajt, fundi i sezonit ka ndikuar te forma e disa futbollistëve, duke qenë se shumë prej tyre vijnë pas një kalendari të ngarkuar, ndërsa të tjerë e kanë mendjen te pushimet verore. Megjithatë, ai theksoi se profesionalizmi duhet të mbetet prioritet kur bëhet fjalë për Kombëtaren.
Mbrojtësi kuqezi foli edhe për periudhën e tranzicionit pas ndryshimit në pankinë, duke e cilësuar si një moment delikat për grupin. Ai zbuloi se ka biseduar me lojtarët për të ruajtur fokusin dhe për të mos lejuar që skuadra të humbasë drejtimin në këtë fazë.
Duke analizuar ndeshjen, Hysaj pranoi se kundërshtari kishte studiuar mirë pikat e dobëta të Shqipërisë dhe se gabimet në organizimin e presingut u shfrytëzuan nga Luksemburgu. Sipas tij, kuqezinjtë krijuan disa raste të mira shënimi, por mungesa e konkretizimit vazhdon të mbetet një problem.
“Në futboll, nëse nuk jep maksimumin, çdo kundërshtar mund të të ndëshkojë. Kemi pasur raste për të shënuar, por nuk i shfrytëzuam. Shpresoj që sulmuesit të gjejnë sa më shpejt golin dhe të dalim nga kjo situatë”, përfundoi Hysaj.
