Darwin Nunez shihet nën shoqërinë e yllit të Barcelonës mes thashethemeve për largim nga Liverpooli

Darwin Nunez është parë nën shoqërinë e një lojtari të Barcelonës mes thashethemeve për largim nga Liverpooli këtë verë.

Nunez befasoi tifozët e Liverpoolit duke fshirë të gjitha fotot e tij në Instagram të lidhura me kohën e tij në ‘Anfield’, pas fitores me rezultat 4-2 ndaj Tottenhamit të dielën.

Reprezentuesi uruguaian dështoi që të ketë një impakt pasi u fut në lojë nga banka rezervë ndaj Tottenhamit dhe për këtë arsye mori kritika nga tifozët në rrjetet sociale.

Krahas faktit që Nunez fshiu të gjitha fotot me Liverpoolin nga llogaria e tij, raportime u shfaqën se gjiganti i La Ligës, Barcelona po konsideron të bëjë një ofertë për 24-vjeçarin këtë verë.

The Sun ka raportuar se Barcelona e sheh sulmuesin si një zëvendësim afatgjatë të Robert Lewandowskit, i cili është lidhur me një transferim në Arabinë Saudite.

Gjatë ditës së sotme (e martë), spekulimet lidhur me të ardhmen e Nunez u shtuan pasi ai u pa nën shoqërinë e Ronald Araujos në një foto të postuar në Instagram.

Nunez ka shënuar 33 gola në 94 ndeshje për Liverpoolin që prej se u bë pjesë e tyre nga Benfica në 2022, në një marrëveshje që ishte arritur për shumën e 85 milionë eurove. /Telegrafi/


Shtuar 8.05.2024 16:28