Francisco Conceicao ka hedhur poshtë pretendimet se futbollistët e Portugalisë ndihen të detyruar t’ia dorëzojnë topin Cristiano Ronaldos në çdo aksion ofensiv, duke nënvizuar se gjithçka në fushë vendoset në mënyrë instinktive dhe jo sipas emrit të lojtarit.
Para vazhdimit të rrugëtimit të Portugalisë në Kupën e Botës 2026, me Ronaldon në rolin e liderit të ekipit, Conceicao theksoi se zgjedhjet gjatë ndeshjes bëhen gjithmonë në interes të skuadrës dhe jo të një futbollisti të vetëm.
Të lidhura
None found
Anësori portugez vlerësoi aftësinë e jashtëzakonshme të Ronaldos përpara portës, por bëri të qartë se ekipi nuk ka asnjë detyrim që ta kërkojë vazhdimisht kapitenin në sulm.
“Jo, Cristiano e ka cilësinë e tij për të shënuar gola, nuk ka askush si ai në këtë aspekt. Por ne nuk e kemi atë detyrim, atë nevojë për t’ia pasuar topin atij”, deklaroi Conceicao.
Ai shpjegoi se vendimet në repartin ofensiv merren brenda çastesh dhe varen vetëm nga ajo që ndodh në fushë në atë moment.
“Për shembull, unë ia pasoj topin atij që është më i lirë. Nuk kam kohë të mendoj për fytyrën e bashkëlojtarit që kam pranë. Ne veprojmë me instinkt, janë milisekonda dhe nuk ka kohë për gjëra të tilla”.
Në fund, Conceicao theksoi se Ronaldo ka të njëjtin rol si pjesa tjetër e ekipit në përfaqësuese.
“Cristiano është këtu për të ndihmuar, ashtu si çdo bashkëlojtar tjetër në kombëtare”, përfundoi ai.
