Bilanc lufte për ndërtimin e stadiumeve të Botërorit, dhjetëra të vdekur e mijëra të plagosur

Presioni ndaj Katarit po rritet dita ditës. Vendi që do të presë Kupën e Botës në 2022 po akuzohet gjithnjë e më shumë për trajtimin shumë të keq të punonjësve, kushtet katastrofike të tyre, që po ndërtojmë impiantet e reja për eventin e madh teksa shumë kombëtare europiane kanë kërkuar madje edhe bojkot të Botërorit.

Këtë të premte, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) zbuloi se 50 punëtorë emigrantë kishin vdekur në 2020  në kantieret e vendit të pasur me gaz. Në të njëjtën kohë, sipas raportit të agjencisë së OKB-së, saktësisht 506 të tjerë u plagosën rëndë vitin e kaluar.

Përveç kësaj, 37,600 të tjerë pësuan lëndime të lehta ose mesatare ndërkohë që ILO thotë se është përballur me mangësira në të dhënat e mbledhura dhe është mbështetur në institucione që jo gjithmonë i kategorizojnë të vdekurit dhe të lënduarit në punë në të njëjtën mënyrë.

Shifrat e mësipërme kanë vend për diskutim pasi Doha pretendon se ka bërë shumë për të përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve emigrantë, të cilët numërojnë më shumë se dy milionë në vend.

Në shkurt, Katari mohoi ashpër raportet nga e përditshmja britanike The Guardian se më shumë se 6,500 punëtorë emigrantë kanë vdekur atje që nga viti 2010, ndërkohë që refuzon të japë numrin e saktë të vdekjeve.


Shtuar 19.11.2021 16:16