Leon Avdullahu realizoi një gol të jashtëzakonshëm në paraqitjen e tij të dytë këtë sezon në Bundesligë, por Hoffenheimi u mposht 2-3 nga Borussia Dortmundi pas një përballjeje dramatike.
Të lidhura
None found
Takimi dhuroi pesë gola dhe emocione të shumta, duke e justifikuar plotësisht cilësimin si derbi i javës.
Mesfushori kosovar zhbllokoi sfidën në minutën e 45-të. Avdullahu goditi fuqishëm nga distanca dhe e dërgoi topin në këndin e majtë të portës, duke i dhënë Hoffenheimit avantazhin 1-0.
Vendasit e zgjeruan epërsinë në minutën e 54-t, por Dortmundi reagoi menjëherë. Serhou Guirassy shënoi në minutën e 61-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Fabio Silva vendosi baraspeshën në 2-2.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 86-të dhe ishte një moment i pafat për Albian Hajdarin. Mbrojtësi devijoi një goditje të kundërshtarit dhe topi përfundoi në portën e Hoffenheimit, duke i dhënë Dortmundit epërsinë 3-2.
Ekipi vendas nuk gjeti forcën për të reaguar në minutat e fundit, ndaj Borussia Dortmundi e mbylli ndeshjen me fitore.
Avdullahu pati një ndikim të rëndësishëm në lojën e Hoffenheimit, ndërsa Hajdari, pavarësisht paraqitjes së tij, do ta kujtojë gjatë autogolin që përcaktoi fatin e takimit.
Fisnik Asllani nuk u aktivizua në këtë ndeshje.
