Agjentët e Lautaros mbërrijnë në Milano, gati rinovimi i kontratës

Ndërkohë që ndeshja me Sassuolon u shty për shkak të prekjes nga koronavirusi të disa futbollistëve të Interit, zikaltrit po punojnë për të firmosur kontratën e rinovuar me sulmuesin argjentinas Lautaro Martinez.

Menaxherët e sulmuesit kanë mbërritur prej disa ditësh në Milano dhe janë takuar me Ausilion e Zanettin, por nuk ka pasur hapa konkretë, pasi administratori i deleguar Giuseppe Marotta vetëm dje la spitalin, ku u trajtua nga koronavirusi.

Në fillim të javës pritet që Marotta, Lautaro e menaxherët e tij pritet të ulen në tavolinë dhe të hedhin formën mbi kontratën e re, që do ta zgjasë bashkëpunimin mes palëve deri në verën e 2024-ës.

Marrëveshja është arritur që në muajin janar, me numrin 10 zikaltër që do të përfitojë një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuset në lidhje me performancën, ndërsa është vendosur gjithashtu që të hiqet klauzola e prishjes së kontratës prej 111 milionë euro.

Në këtë mënyrë zikaltrit do të kenë mundësi të negociojnë vetë vlerën e shitjes së kartonit të sulmuesit, që edhe gjatë kësaj vere pret të marrë oferta të rëndësishme nga klube si Barcelona e Manchester City, që kanë shfaqur interes edhe gjatë verës së kaluar.


Shtuar 21.03.2021 13:20