Zjarri në Elbasan/ Shefi i shërbimit zjarrfikës: Flakët përfshinë pjesën e jashtme të fabrikës, s’ka të lënduar

Emirjon Sota, shef i shërbimit zjarrfikës në Elbasan, ka dhënë një deklaratë për mediat në lidhje me zjarrin që ra mesditën e së mërkurës në një fabrikë plastike në ish-kombinatin metalurgjik të qytetit.

Ai thotë se zjarri ka rënë në pjesën e jashtme të fabrikës, por me ndërhyrjen e shpejtë, u shua.

“Siç jemi njoftuar rreth orës 14:40 për një zjarr të rënë në një fabrikë përpunimi plastike, ku zjarri ka përfshirë pjesën e jashtme, janë përfshirë tuba plastikë dhe arka, është bërë izolimi i vatrës së zjarrit duke shpëtuar fabrikat që ndodheshin ngjitur.
Në operacion kanë marrë pjesë 10 mjete zjarrfikëse nga bashkitë e qarkut dhe ushtria. Rreth 40 efektivë zjarrfikës, të cilët bënë të munduar shuarjen. Nga ky zjarr nuk ka asnjë të lënduar. Paraprakisht shkaku dyshohet aksidental.”, u shpreh Sota.

Ndërkohë, Ilir Llapushi, shef i shërbimit zjarrfikës në Gramsh, shtoi:

“Janë zjarre të vështirë sepse janë lëndë plastike dhe lëndë lehtësisht të djegshme. Duhet të punoish me kundragaz, por me mbështetjen e qarkut dhe Tiranës, u bë lokalizimi i plotë i zjarrit deri në shuarjen e tij.”


Shtuar 4.09.2024 17:45