“Po silleni si Fiona te Shreku” Gogu përplaset me Salianjin: Në agim mburrni SPAK-un, në darkë shpërfytyroheni poshtë rrugicës dhe e akuzoni”

Gjatë mbledhjes që po zhvillon komisioni hetimor parlamentar për ndërhyrjen në systemin TIMS, pati edhe një përplasje mes deputetëve Ervin Salianji dhe Toni Gogu.

Ky i fundit, akuzoi Rithemelimin për qëndrimin e mbajtur ndaj SPAK-ut duke u shprehur se në mëngjes e mburrin punën e Prokurorisë së Posaçme ndërsa në darkë ndryshonin mendim poshtë ballkonit ku Sali Berisha mbante fjalimet e tij.

“Ne nuk sillemi si Fiona te Shreku që një mëngjes të themi shiko sa mirë SPAK-u dhe në mbrëmje, në rrugicë të shpërfytyruar, të thoni ja SPAK-u i partisë. Nga agimi në muzg mburret SPAK-u dhe nga muzgu në agim mallkohet SPAK-u”– u shpreh Gogu.

Nga ana tjetër, deputeti Ervin Salianji u përgjigj duke krahasuar qeverisjen e socialistëve me personazhin vizatimor që Gogu e përmendi më herët.

“Ju qeverisjen e keni si fytyra e shrekut. Aq të zezë e keni qeverisjen dhe mirë që e përmende. Është kryeministri I kësaj republike që urdhëron administratën në këtë vend që kur nuk e kanë një favor të mos zbatojnë ligjin. Keni parë një thirrje të tillë ju në çdo vendi demokratë në botë? Ju jeni parti që bëni sikur jeni në amnezi. A ka përgjegjësi kryeministri për të gjithë këto afera që janë kapur apo jo?”- tha ndër të tjera Salianji.


Shtuar 2.04.2024 17:15