Pas protestës së sotme në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dënoi trajtimin e një protestuesi të ri nga policia. Në një video që ajo publikoi në rrjetet sociale, i riu, i identifikuar si Kevini, shfaqet i lidhur pranë një dere.
Tabaku bëri të ditur se e kishte takuar Kevinin sonte në spital dhe se në trupin e tij dalloheshin shenja të një trajtimi që ajo e cilësoi çnjerëzor. Sipas deputetes, pamjet e publikuara tregojnë një pjesë të asaj që kishte përjetuar i riu.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, ajo u shpreh se të rinjtë, përmes zërit dhe protestës, po përcjellin ndjenjat e shumicës së heshtur të shqiptarëve: neverinë për një sistem të kalbur, të cilit, sipas saj, i mungojnë morali dhe vlerat për të qeverisur.
Deputetja tha se zemërimi drejtohet ndaj një sistemi të ndërtuar në shërbim të pakicës, ndërkohë që shumica lihet pas dore dhe përballet me dhunë barbare. Ajo e përshkroi këtë sistem si të nënshtruar ndaj të fortëve, por të ashpër ndaj të dobëtve.
Për Tabakun, e vetmja zgjidhje është përballja me sistemin dhe rrëzimi i tij nëpërmjet protestës dhe bashkimit të qytetarëve, me synimin për të pasur një qeveri që buron nga qytetarët dhe u shërben atyre.







