Operacioni për heqjen e një nyjëze në mushkëri, të cilit Papa Leone XIV iu nënshtrua në spitalin Gemelli të Romës, ka përfunduar me sukses, brenda kohës së planifikuar dhe sipas procedurës së parashikuar. Pas ndërhyrjes, Ati i Shenjtë është rikthyer në dhomën e tij, bëri të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit.
Të lidhura
None found
Ndërhyrja u krye nga ekipi i kirurgjisë i udhëhequr nga profesori Stefano Margaritora. Papa, emri i të cilit është Robert Francis Prevost, ishte shtruar për heqjen e nodulit në mushkëri.
Të martën, më 13 tetor, rreth orës 13:00, Papa u largua nga Vatikani përmes Portës së Perugino-s, ku përshëndeti njerëzit që ndodheshin aty, raportojnë mediat italiane.
Pas mbërritjes në spitalin Gemelli, ai zbriti nga automjeti dhe hyri nga porta kryesore e kompleksit. Në sheshin përpara ndërtesës e prisnin shumë persona, ndërsa Papa u shfaq i qetë, i buzëqeshur dhe i emocionuar nga pritja e ngrohtë.
Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, u shpreh optimist se gjendja shëndetësore e Papës do të përmirësohet sa më shpejt.
“E takova Papën mbrëmjen e djeshme dhe biseduam me shumë qetësi. Ai është një shembull i madh edhe në këtë drejtim”, tha Parolin për gazetarët, në margjinat e një aktiviteti të zhvilluar në Universitetin Papnor Gregorian.
Ai vuri në dukje se të gjithë ishin impresionuar nga qetësia e Papës kur njoftoi për zbulimin e nodulit në mushkëri.
“Jemi në fillim të kësaj vështirësie dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Jemi optimistë dhe e shoqërojmë me lutjet tona”, shtoi kardinali.
Spitalit i është vendosur një plan i veçantë sigurie
Gazeta italiane “Il Messaggero” raporton se për qëndrimin e Papës në spital është hartuar një plan i posaçëm sigurie. Ai parashikon kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, ndërsa për regjistrimin e analizave do të përdoren kode alfanumerike ose pseudonime, për të garantuar ruajtjen e privatësisë së Papës.
Sipas të njëjtit burim, Leone XIV nuk po qëndron në apartamentin e posaçëm për Papët, pasi ai po rikonstruktohet. Në vend të tij, Papa është vendosur në një hapësirë tjetër në katin e dhjetë të spitalit.
Kjo pjesë e spitalit është ndarë nga pjesët e tjera të kompleksit dhe aksesin në të e kanë vetëm personat e autorizuar nga Prefektura e Shtëpisë Papnore.
Vatikani njoftoi se të dhëna të tjera mbi gjendjen e Papës do të bëhen publike në vijim.







