Pas publikimit të pamjeve ku 19-vjeçari L. B., me këmbën e dëmtuar, shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit për t’u transportuar në spital, Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisarin F. K.
Policia njoftoi zyrtarisht se verifikimi i rrethanave të ngjarjes dhe i mënyrës se si efektivët kanë trajtuar të riun ka nisur menjëherë. Krahas kësaj, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka hapur procedim disiplinor ndaj pesë punonjësve të pezulluar.
Të lidhura
None found
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është krijuar një grup i posaçëm pune, i cili do të shqyrtojë veprimet e punonjësve përgjatë gjithë tubimit dhe do të kontrollojë nëse janë respektuar procedurat standarde të punës. Sipas Policisë, çdo efektiv që ka shkelur rregullat ose ka tejkaluar kompetencat do të përballet me përgjegjësi.
Hetimi për këtë rast ka nisur gjithashtu nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Policia e Shtetit ka dënuar dhunën, dëmtimin dhe djegien e pronës të shënuara gjatë protestës, duke vlerësuar se këto akte nuk përfaqësojnë ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë.
Personat e maskuar dhe individët që përfshihen në veprime të dhunshme janë ftuar të ndalojnë menjëherë, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë larg tyre për të ruajtur sigurinë.







