Papa Leoni XIV diagnostikohet me adenokarcinomë në mushkëri, Vatikani konfirmon suksesin e operacionit

Vatikani ka njoftuar se Papa Leoni XIV është diagnostikuar me kancer në mushkëri, pasi iu nënshtrua një operacioni për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë.

Të lidhura

None found

Ndërhyrja u krye të martën në spitalin Gemelli të Romës dhe zgjati rreth 90 minuta. Sipas komunikatës mjekësore, operacioni përfundoi me sukses dhe 71-vjeçari u zgjua normalisht pas përfundimit të tij.

“Pas operacionit, Papa u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër vëzhgimi, u kthye në dhomën e tij në katin e dhjetë”, thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë.

Formacioni në mushkëri u evidentua gjatë kontrolleve të zakonshme mjekësore. Papa kishte deklaruar të dielën se masa ishte e kufizuar dhe ishte zbuluar në një fazë shumë të hershme, ndërsa mjekët kishin këshilluar largimin e saj përmes kirurgjisë.

Operacioni u realizua nga ekipi i kirurgjisë torakale të spitalit Gemelli. Për t’i mundësuar një periudhë rikuperimi, axhenda e Papës është boshatisur deri më 20 tetor.

Vatikani ka bërë të ditur se Papa nuk kishte shfaqur shenja infeksioni apo sëmundjeje. Kardinali Tarcisio Isao Kikuchi i Tokios tregoi në rrjetet sociale se ishte takuar me të hënën dhe se Papa i kishte thënë se fizikisht nuk ndiente ndonjë shqetësim të pazakontë.

Sipas kardinalit, Papa zgjodhi ta kryente operacionin sa më shpejt, pasi në fillim të nëntorit planifikon të udhëtojë drejt Amerikës Latine. Në itinerar përfshihet edhe Peruja, vendi ku ai shërbeu për shumë vite fillimisht si misionar dhe më pas si ipeshkëv.

Lajmi për diagnozën ka alarmuar besimtarët katolikë në mbarë botën. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, tha se edhe ai ishte i shqetësuar nga situata.

“A jam i shqetësuar? Po, sepse sigurisht që nuk e prisja diçka të tillë”, deklaroi Parolin para gazetarëve të martën.

Ai e përshkroi diagnozën si një goditje të papritur, por shtoi se kardinalët ishin befasuar pozitivisht nga qetësia e Papës dhe shpresonin që ai të rikuperohej.

Mjekët sqarojnë se masat e zbuluara në mushkëri nuk janë gjithmonë kancerogjene dhe se zakonisht analizohen pas heqjes për të përcaktuar natyrën e tyre. Në rastin e Papës, Vatikani ka konfirmuar se bëhet fjalë për adenokarcinomë të mushkërisë.

Selia e Shenjtë nuk ka dhënë ende të dhëna të tjera për trajtimin që do të ndiqet pas operacionit. Vëmendja tani është përqendruar te rikuperimi i Papës dhe te mundësia që ai të zhvillojë në nëntor udhëtimin e planifikuar drejt Amerikës Latine.


Shtuar më 13.10.2026 23:09