500 mijë euro në 6 qese plastmasi, policia reagon për paratë e sekuestruara në Portin e Durrësit: Disa persona të shoqëruar

Ka ardhur reagimi i policisë për paratë e sekuestruara pak minuta më parë në portin e Durrësit, të cilat ishin fshehur në tavanin e një autobusi që vinte nga Bari, Itali.

Policia thotë se sekuestrimi i parave erdhi si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e Durrësit.

Pas kontrollit të imtësishëm, janë gjetur në tavanin e autobusit të fshehura në 6 qese plastmasi, rreth 500 mijë euro.

Po ashtu sipas “Bluve” janë shoqëruar disa persona. Albeu.com raportoi pak më parë se dy prej tyre janë shoferi dhe njëkohësisht pronari i autobusit Elidon Cela dhe shoqëruesi i tij.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak.

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe konrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë./albeu.com