Plas “boksi” në studio, gazetari i njohur sfidon kampionen kuksiane që njeh vetëm fitore (VIDEO)

Ermira Rexhmati premton sukses në Muay Thai. Ermira prej disa kohësh është angazhuar në këtë sport ku ka shënuar dhe disa fitore. Ajo ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu se si u bë pjesë e kësaj fushe.

Ermira tregoi se punonte si parukiere kur vendosi që të ndiqte ëndrrën e saj.

“Para se të vazhdoja sportin kam qenë një parukiere. Në Gjirin e Lalzit u zhvillua një event dhe doja të merrja pjesë si shikuese, e adhuroja këtë sport. Më lindi dëshira që të vazhdoj dhe unë, e kisha ëndërr që e vogël dhe thashë pse të mos shkoja dhe të stërvitesha. U regjistrova në palestër dhe pastaj vazhdova hapat më tej.“, tha Ermira duke shtuar më tej se synon suksesin ndërkombëtar.

Ndërkohë trajneri i saj, Ervis Bici tha: “Shpresojmë që dhe në Shqipëri të hapet një federatë për Muay Thai. Synimet tona janë për momentin Evropa sepse duhet të ngjitemi shkallë shkallë dhe pastaj duhet të mendojmë më tej.”