Aktorja Ema Andrea ka dhënë një nga rrëfimet më të ndjera në Podcastin e Grida Dumës, ku ka folur hapur për humbjen tragjike të vëllait të saj binjak, i cili humbi jetën papritur në palestër.
Mes emocioneve të forta dhe reflektimeve mbi jetën, mungesën dhe vetminë, artistja tregoi se dhimbja e kësaj humbjeje mbetet ende e freskët për të. “Pres të marrë në telefon ende… Fjala është e mangët, tani unë s’jam”, u shpreh ajo, duke treguar se ende sot ndjen mungesën e thellë të tij dhe boshllëkun që ka lënë pas.
Ajo rrëfeu se lidhja mes tyre ishte e veçantë, duke theksuar se vëllai binjak ishte personi që e kuptonte më mirë se kushdo tjetër. “E kishim vendosur që ai do ikte para meje, por jo kaq herët”, tha aktorja, duke shtuar se ndihet e tronditur nga largimi i tij i papritur.
Të lidhura
None found
Një nga momentet më të forta të intervistës ishte përshkrimi i momentit kur mori telefonatën fatale dhe mbërriti në vendngjarje. “Mu prenë gjunjët”, tregoi ajo, duke kujtuar edhe momentin kur policia i kërkoi të mos kalonte më tej.
Ema Andrea foli gjithashtu për gjendjen e rëndë emocionale pas humbjes, duke pranuar se kishte menduar të dëmtonte veten, por se nuk donte të prishte ceremoninë mortore të të vëllait. Ajo zbuloi se në ato ditë të vështira pranë i ka qëndruar edhe Ori Nebiaj.
Në përfundim të rrëfimit, aktorja ndau reflektime të forta mbi jetën dhe marrëdhëniet njerëzore, duke thënë se kjo dhimbje e ka transformuar plotësisht dhe i ka dhënë një dimension tjetër ekzistencës së saj.
