Ashtu siç pritej është publikuar sot bashkëpunimi i Elvana Gjatës me këngëtaren rumune, Inna, dhe Sickotoy. Kënga mban titullin “Papa” dhe është tipike verore. Plot ngjyra dhe shumë ritmike, kësaj kënge është vështirë t’i rezistosh pa kërcyer e jemi të sigurtë se do na shoqërojë gjatë udhëtimeve, në plazhe e festa. Teksti është në gjuhën angleze dhe është shkruar nga Elvana Gjata në bashkëpunim me Iraida, e së bashku me Sickotoy dhe Inna-n kanë krijuar edhe vijën melodike.
Klipi është po ashtu veror, e artistet shfaqen pranë një pishine, shumë seksi dhe në super formë. Vlen të theksohet se Inna është autore e shumë hiteve si “Amazing”, “Sun is up”, “Deja Vu” etj., që numërojnë disa qindra miliona klikime dhe shpresojmë që kështu të ndodhë edhe me “Papa”.
Kujtojmë se Elvana publikoi bashkëpunimin e parë me Yll Limanin të javën e kaluar, duke i surprizuan të gjithë pasi sollën jo një, por dy këngë, që tejkaluan çdo pritshmëri. Në titujt “E di” dhe “Marre” Elvana dhe Ylli ia dolën të godisnin në shenjë e të konkurrojnë për titullin “Hiti i verës” teksa brenda 5 ditësh projekti i tyre ka arritur mbi 3 milionë klikime.
Ndërkohë, ky vit po konsiderohet si viti i Elvana Gjatës. Kujtojmë se më 16 prill, Elvana u rikthye me “Çelu”, një mini-albumin që përmban 7 këngë, i cili ka marrë pëlqimet e padiskutueshme të publikut. “Çelu” synon që të çelë shpirtin e vetë këngëtares fillmisht, por edhe të të gjithë shqiptarëve që kohët e fundit kanë përjetuar një situatë aspak të lehtë. Jemi të bindur se deri në fund të 2021 do na serviren surpriza edhe më të bukura nga artistja.