Mbrëmjen e ditës së dielë u zhvillua edicioni i 94-rt i çmimeve Oscar 2022, ku filmi “Coda” u shpall triumfuesi. Komedia dramatike me regji të Sian Heder është një remake i filmit francez të vitit 2014, “La Famille Bélier”.
Ndërkaq, tapeti i kuq u rikthye më magjik se kurrë. Ndërsa vitin e kaluar u pa një version i shkurtuar i ngjarjes për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë, këtë vit e gjithë shkëlqimi dhe magjepsja u rikthye në këtë cep të Hollivudit. Veshjet ishin mjaft të veçanta dhe unike sepse normalisht ishin stiluar dhe punuar me mjaft mjeshtëri nga stilistët më të njohur nga bota e madhe e modës.
Por le të ndalemi pak tek një veshje në veçanti. E kemi fjalën për atë të Tiffany Haddish. Aktorja e njohur e komedisë u prezantua me një fustan elegant si në tapetin e kuq, ashtu edhe në ‘after party’-n e organizuar nga “Vanity Fair”. Haddish është veshur nga stilisti i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare Valdrin Sahiti.
Ky i fundit kishte zgjedhur që aktoren e famshme ta vishte me një nga stilimet e prezantuara më herët gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për të njëjtin fustan që kishte veshur aktorja Monika Lubonja në një nga netët e spektaklit “Big Brother VIP”, kur banorët morën të gjithë si dhuratë veshje të stiluara nga Valdrini. Monika e kishte veshur këtë fustan në kuadër të festës së Vitit të Ri, kur stafi kishte befasuar banorët, duke iu sjell në shtëpi veshje të realizuara enkas nga stilisti i njohur kosovar.