3 vite pas divorcit, Melinda Gates heq dorë nga Fondacioni Bill & Melinda Gates

Filantropistja miliardere Melinda French Gates ka thënë se do të japë dorëheqjen si bashkëkryetare e Fondacionit Bill & Melinda Gates.

“Ky nuk është një vendim që e kam marrë lehtësisht,” shkroi Gates në një deklaratë të postuar në X të hënën.

Dita e saj e fundit e punës do të jetë 7 qershori.

Melinda Gates e filloi fondacionin në vitin 2000 me bashkëshortin e saj të atëhershëm Bill Gates, bashkëthemeluesin e Microsoft.

Në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë, dyshja njoftuan ndarjen, por u zotuan të vazhdojnë punën e përbashkët filantropike. Në kohën e ndarjes së tyre, ish-çifti tha se do të mbeten bashkë-kryetarë të organizatës dhe se nuk priten ndryshime në strukturën e fondacionit.

Fondacioni Gates është ndër grupet më të fuqishme në shëndetin publik, me një fond prej më shumë se 75 miliardë dollarë që nga dhjetori. Fondacioni shpenzon miliarda dollarë çdo vit për nisma që synojnë zhdukjen e sëmundjeve infektive, uljen e varfërisë dhe luftimin e ndryshimeve klimatike.

“Jam jashtëzakonisht krenare për fondacionin që Bill dhe unë ndërtuam së bashku,” shkroi Melinda në deklaratën e saj duke shtuar se sipas një marrëveshjeje me Bill, ajo tani do të ketë 12.5 miliardë dollarë shtesë për punën e saj bamirëse për gratë dhe familjet.

Bill Gates tha se i vjen keq që Melinda do të largohet, por shtoi se është i sigurt se ajo do të ketë një ndikim të madh në punën e saj të ardhshme filantropike.

Themeluesi i Microsoft-it mbetet një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto prej më shumë se 130.3 miliardë dollarë, sipas Forbes. Nga ana tjetër, pasuria e Melinda Gates llogaritet të jetë 11.3 miliardë dollarë.


Shtuar 15.05.2024 11:49