Premtimi për angazhimin e 600 specializantëve privatë në sistemin publik shëndetësor po konkretizohet, deklaroi deputetja e VLEN-it, Kaltrina Beqiri, pasi Qeveria vendosi të punësojë edhe grupin e dytë me 300 mjekë të rinj.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për media, Beqiri bëri të ditur se 300 specializantët e grupit të parë tashmë janë integruar në shëndetësinë publike. Sipas saj, procedurat për 300 mjekët e grupit të dytë pritet të përmbyllen deri në fund të këtij viti.
Beqiri e cilësoi këtë si një zhvillim me rëndësi për 300 mjekët e rinj, të cilët e kanë filluar specializimin duke i mbuluar vetë shpenzimet, ndërsa tani do të përfshihen në sistemin publik shëndetësor.
Nga ky proces, sipas deputetes, do të përfitojnë gjithashtu spitalet që prej vitesh kanë mungesë të stafit specialistik. Prioritet do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si edhe fushat ku nevoja për mjekë është më e madhe.
Ajo vlerësoi se ky hap ka rëndësi të veçantë për banorët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe komunave të tjera, të cilët shpesh janë të detyruar të udhëtojnë në Shkup për të marrë shërbime specialistike.
Beqiri nënvizoi se, përveç projekteve infrastrukturore në sektorin e shëndetësisë, forcimi i burimeve njerëzore vazhdon të jetë prioritet. Në këtë kuadër, ajo përmendi investimin prej 74 milionë eurosh në Spitalin Klinik të Tetovës dhe hapjen e rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë.
Deputetja e VLEN-it theksoi se spitaleve nuk u mjaftojnë vetëm objektet dhe pajisjet, pasi ato kanë nevojë edhe për mjekë. Ajo tha se zotimi për punësimin e 600 specializantëve është dhënë dhe tashmë po përmbushet.
