VLEN ka reaguar me një deklaratë për media ndaj akuzave të BDI-së për cenim të Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave të shqiptarëve, transmeton InfoShqip.
Të lidhura
None found
Sipas VLEN-it, BDI po përpiqet ta paraqesë Marrëveshjen e Ohrit si pronë të saj, ndonëse, sipas kësaj partie, në praktikë e ka përdorur atë për interesa partiake. VLEN thekson se BDI, e cila dikur e cilësonte veten edhe si “e gjelbër”, tani po pengon avancimin e një prej parimeve kryesore të marrëveshjes: përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Për 22 vjet, BDI-ja i kishte në dorë të gjitha mundësitë, duke pasur ministra, deputetë dhe pushtet të plotë. Ligjin mund ta miratonte në çdo moment, por nuk e bëri. Jo për mungesë njohurish, por sepse nuk kishte vullnet”, thuhet në reagim.
VLEN pretendon se, në mungesë të një ligji, vendet e punës shpërndaheshin nga BDI-ja sikur të ishin dhurata personale të Ali Ahmetit. Sipas deklaratës, mbështetja politike përcaktonte nëse një qytetar do ta kishte derën e hapur apo do të mbetej jashtë, ndaj për partinë nuk ishte në interes që përfaqësimi i drejtë të sanksionohej me ligj.
Partia thotë se tash, kur Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është paraqitur, BDI po përdor sërish mekanizmat institucionalë për ta bllokuar. Në deklaratë, mekanizmi i Badenterit, i krijuar për mbrojtjen e interesave të bashkësive, akuzohet se është kthyer nga BDI-ja në instrument presioni partiak kundër çdo zgjidhjeje që nuk mban vulën e saj.
“Nuk u intereson se çfarë përfitojnë shqiptarët; synimi i tyre është që VLEN-i të mos shënojë sukses”, shprehet më tej partia.
VLEN shton se qëndrimet e BDI-së ndryshojnë në varësi të pushtetit: kur është në qeverisje, çdo gjë paraqitet si e rregullt, ndërsa kur mbetet jashtë pushtetit, sipas saj, përpiqet të bllokojë edhe funksionimin e shtetit. “Ai film nuk kalon më”, thuhet në reagim.
Në përfundim, VLEN thekson se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e Ali Ahmetit, e BDI-së apo e “karrigexhinjve të Reçicës së Vogël”, por rezultat i sakrificës së një populli të tërë. Sipas partisë, përfaqësimi i drejtë nuk është dhuratë politike, por e drejtë e qytetarëve dhe detyrim i shtetit.
“Për 22 vjet nuk e miratuan ligjin, ndërsa tani po tentojnë ta pengojnë. Ligji duhet të ecë përpara, pa shantazhe dhe pa bllokada”, përfundon deklarata e VLEN-it.
