VLEN i është përgjigjur deklaratave të BDI-së, duke kërkuar që drejtuesit e kësaj partie të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale, përpara se të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Të lidhura
None found
Sipas VLEN-it, humbja në disa komuna me shumicë shqiptare nuk u shoqërua me asnjë përgjegjësi politike brenda BDI-së. Në reagim përmenden Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Bajram Rexhepi dhe Faton Ahmeti, të cilët, sipas VLEN-it, vazhduan të qëndrojnë në poste të rëndësishme ose morën funksione të reja partiake, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
“Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia përmend edhe Haraçinën, Bogovinën, Tearcën, Strugën, Zhelinën, Sarajin dhe Dollnenin, duke pretenduar se pas humbjeve në këto komuna nuk pati dorëheqje dhe as riformatim të strukturave drejtuese të BDI-së.
VLEN vlerëson se thirrjet e BDI-së për legjitimitet dhe zgjedhje të parakohshme synojnë të mbajnë në fuqi të njëjtën strukturë politike, si dhe të krijojnë idenë se kjo parti mund të rikthehet në pushtet.
“BDI-ja e di shumë mirë se shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare”, thuhet në reagim, ku nënvizohet se një përballje tjetër me qytetarët do të sillte një humbje të re për BDI-në.
VLEN e mbyll qëndrimin e saj duke deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të sjellin verdiktin përfundimtar të qytetarëve ndaj asaj që e quan “një udhëheqjeje të pareformuar” të BDI-së.
