Mësimi i së hënës në shkollat fillore të Komunës së Gazi Babës do të nisë me interpretimin e himnit të Republikës së Maqedonisë. Vendimin e ka bërë të ditur në Facebook kryetari i kësaj komune, Boban Stefkovski, çka nënkupton se himni maqedonas do të këndohet edhe nga nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe të kësaj komune, shkruan InfoShqip.
Të lidhura
None found
Sipas Stefkovskit, ky vendim synon të rikujtojë përkatësinë etnike. Megjithatë, zbatimi i tij përfshin edhe nxënësit shqiptarë, të cilët do të detyrohen ta këndojnë himnin maqedonas në klasat e tyre në nisje të çdo jave shkollore.
“Himni nuk është vetëm një këngë. Është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së brezave që luftuan për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane”, ka shkruar kryetari i Gazi Babës.
Ai thekson se arsimi u mëson fëmijëve respektin për atdheun përmes simboleve kombëtare, ndërsa në deklaratën e tij nuk përmend simbolet kombëtare shqiptare, himnin, flamurin dhe gjuhën.
“Përmes arsimit, ne ndërtojmë njohuritë dhe të ardhmen e fëmijëve, por në të njëjtën kohë i mësojmë ata të respektojnë atdheun e tyre, simbolet e tij kombëtare dhe vlerat që na bashkojnë si popull”, shprehet Boban Stefkovski.
Stefkovski shton se dashuria për Maqedoninë duhet të kultivohet që në fëmijëri, në familje, në shkollë dhe në përditshmëri.
“Me këtë vendim, ne ndërtojmë një ndjenjë përkatësie, bashkimi, dinjiteti dhe respekti për vendin. Le të jetë çdo fillim i ri i javës shkollore i mbushur me krenari, respekt dhe dashuri për atdheun tonë të vetëm! MAQEDONIA ËSHTË GJITHÇKA QË KEMI”, përfundon njoftimin kryetari i Gazi Babës, Boban Stefkovski.
