Autoritetet kanë lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Aleksandar Lazarovin, 41-vjeçarin nga Koçani, i cili ditë më parë u largua me vrap nga ambientet e Stacionit Policor në qytetin e tij.
Të lidhura
None found
Në njoftimin zyrtar të MPB-së, bëhet e ditur se për Lazarovin, të birin e Metodit dhe Darinkës, është shpallur urdhër-arrest qendror dhe ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore të Koçanit. Ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale të paraparë nga neni 215, paragrafi 1, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.
Ngjarja shkaktoi bujë të konsiderueshme pasi i dyshuari 41-vjeçar ia doli të arratisej nga godina e policisë ku po qëndronte për t’u marrë në pyetje.
Në bazë të raportimeve paraprake të Ministrisë së Brendshme, më 9 korrik, rreth orës 23:55, efektivët e SPB Koçan, SPB Dellçevë dhe Njësisë Policore të Makedonska Kamenicës ndaluan dy shtetas nga Koçani, J.J. (25) dhe A.L. (41), në hyrje të fshatit Istibanjë, Vinicë.
Gjatë inspektimit të makinës “Subaru” me targa të Koçanit, të cilën e drejtonte J.J. dhe në të cilën udhëtonte edhe Lazarovi, uniformat blu zbuluan dhe konfiskuan një sasi lënde pluhuri me ngjyrë të bardhë.
Të nesërmen, më 10 korrik, në orën 20:35, teksa ndodhej në Stacionin Policor të Koçanit, Lazarovi arriti të arratisej.
“Individi A.L., i cili më herët ishte arrestuar nën dyshime të forta për kryerje të veprës penale, çeli një dritare të njërës prej dhomave dhe u largua”, ishte deklarata e Ministrisë së Punëve të Brendshme në atë kohë.
Pas kërkimeve disaditore, MPB-ja tashmë e ka shtrirë fushën e kërkimit përtej territorit kombëtar, duke lëshuar fletarrest ndërkombëtar për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
