Hulumtimi më i fundit i opinionit publik, i kryer gjatë muajit qershor nga Instituti Stratum R&D, rikonfirmon se Lëvizja VLEN kryeson bindshëm në elektoratin shqiptar.
Të lidhura
None found
Në përgjigjen e pyetjes se cilës forcë politike do t’i besonin votën nëse zgjedhjet do të organizoheshin të nesërmen, 34 për qind e të anketuarve janë shprehur pro VLEN-it, teksa Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë mbështetjen e 30 për qind të pjesëmarrësve. Ky është studimi i dytë brenda një periudhe dy-mujore që e radhit VLEN-in përpara BDI-së.
Në një reagim zyrtar, VLEN thekson se ky sondazh dëshmon një të vërtetë të pamohueshme: qytetarët tashmë dinë të dallojnë qartë politikën e bazuar në rezultate nga ajo e zhurmës mediatike. Sipas tyre, mjaftuan vetëm dy vjet për të treguar se shqiptarët nuk bien më pre e retorikës së zbrazët dhe se besimi fitohet me vepra konkrete, jo me premtime boshe.
Ata rendisin një varg arritjesh që e mbështesin këtë pohim: miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Ligji për Lojërat e Fatit, Ligji për Medresenë, si dhe legjislacioni për Jurisprudencën dhe Arsimin e Lartë. Po ashtu, përmenden më shumë se 40 provime profesionale të zhvilluara në gjuhën amtare, hapja e sporteleve të integruara (One Stop Shop) në vendkalimet kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë, 306 projekte të dedikuara për komunat shqiptare, mbi 2.500 ndërmarrje të reja të regjistruara, si dhe mijëra vende pune dhe ngritje në detyrë.
Në deklaratë theksohet gjithashtu nisja e punimeve për Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, investimi prej 20 milionë eurosh për fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”, rikonstruksioni i Spitalit të Tetovës me 74 milionë euro, ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë dhe i Korridorit 8, si dhe rritja e pagave dhe e pensioneve. VLEN përmbyll duke theksuar se këto janë fakte që nuk mund të mbulohen përmes konferencave për shtyp, fushatave të dezinformimit apo propagandës mediatike.
