Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, u ka kërkuar shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në diasporë, të mbështesin kandidatin shqiptar Arkin Jahiju në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
Të lidhura
None found
Sipas Selës, zgjedhja e një kandidati shqiptar në këtë komunë ka rëndësi të veçantë. Ai deklaroi gjithashtu se është i gatshëm ta ndihmojë Jahijun gjatë raundit të dytë dhe të jetë në dispozicion të tij.
“Pavarësisht çdo gjëje, shqiptarë, ju lutem, edhe ju të diasporës, ju lutem, është tejet e rëndësishme që në Bërvenicë të triumfojë kandidati shqiptar. Arkin Jahiju është ai që e prin këtë garë. Prandaj po e them publikisht se jam në dispozicion të shqiptarit Arkin Jahiju gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në mënyrën që ai e konsideron të arsyeshme”, u shpreh Sela në “Shenja”.
Gjatë deklaratës së tij, Sela kritikoi edhe qëndrimin e shprehur nga zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, për mënyrën se si kjo parti do të vendosë për mbështetjen e kandidatëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
“Kjo është skandaloze. Deklarata e Driton Sulejmanit, zëvendësministrit të Arsimit, është një deklaratë e një servili dhe e një pakurrizori, i cili tha se kryesia e VLEN-it do të diskutojë se kë do të mbështesë në raundin e dytë. Qytetarët e Bërvenicës janë shprehur qartë. Në këtë pikë nuk bëhet më fjalë për qëndrimin e subjekteve politike. Zërin e kanë dhënë qytetarët dhe ne duhet vetëm ta dëgjojmë atë”, deklaroi Sela.





