Operatori i ri celular që pritet të hyjë në tregun e Maqedonisë do të përdorë rrjetin satelitor Starlink, në pronësi të miliarderit Elon Musk. Lajmin e bëri të ditur ministri Aleksandar Nikolloski.
Të lidhura
None found
Duke folur për emisionin “360 shkallë”, Nikolloski deklaroi se kompania e telekomunikacionit “4iG” ka njoftuar tashmë një partneritet strategjik dhe se Maqedonia do të jetë ndër shtetet e para ku kjo teknologji do të aplikohet drejtpërdrejt.
Sipas tij, për momentin kompania po përdor me qira stacione bazë, ndërsa pas përfundimit të fazës së testimit, lidhja do të kalojë drejtpërdrejt përmes satelitëve të Elon Musk. Ai tha se, përveç Ukrainës, Maqedonia dhe Mali i Zi do të jenë vendet e para ku Starlink-u do të përdoret në mënyrë të drejtpërdrejtë për shërbimet celulare dhe internetin.
I pyetur për mundësinë që Musk të kufizojë aksesin, siç ka ndodhur në Ukrainë, ministri u përgjigj se marrëveshja në fjalë është e natyrës komerciale. Nikolloski theksoi se pjesa tregtare ndryshon nga ajo ushtarake dhe shtetërore, duke iu referuar edhe shpjegimeve të Sekretarit Rubio.
Në lidhje me ndikimin e inspektimeve të paralajmëruara nga qeveria hungareze në planet e investimeve të “4iG” në Maqedoni, Nikolloski tha se operatori duhet të mbulojë të paktën një qytet deri në mars të vitit 2027. Kompania ka përzgjedhur Shkupin, çka sipas ministrit tregon seriozitetin e angazhimit të saj.
Nikolloski përsëriti gjithashtu pritshmërinë për uljen e çmimeve./Telegrafi/





