Me rritjen e pandërprerë të blerjeve online në vend, po shtohet edhe kërkesa për më shumë siguri gjatë kryerjes së pagesave elektronike. Për këtë arsye, Shoqata për e-Tregti e Maqedonisë (AETM) ka nxjerrë edicionin më të fundit të përditësuar të Regjistrit të Tregtarëve Elektronikë, i cili u mundëson qytetarëve të verifikojnë nëse po blejnë nga dyqane online të regjistruara dhe të kontrolluara.
Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se gjatë vitit 2025, në vend janë evidentuar 1.829 pika shitjeje në tregtinë elektronike. Prej tyre, 1,396 kanë realizuar të paktën një transaksion dhe, sipas metodologjisë së BPRMV-së, konsiderohen aktive.
Të lidhura
None found
Ky regjistër përfaqëson një databazë të vetme dhe të plotë të shitësve vendas online që pranojnë pagesa me karta. Përditësimi i tij realizohet në bashkëpunim me Komercijalna Banka, NLB Banka, Stopanska Banka, Halk Banka dhe UNI Banka, të cilat përpunojnë transaksionet elektronike.
Gjatë këtij procesi, AETM merret me verifikimin, identifikimin dhe kategorizimin e dyqaneve elektronike, duke krijuar kështu një pamje të strukturuar të tregut vendas. Botimi më i fundit përfshin 1.374 dyqane elektronike aktive, të ndara në 25 kategori të ndryshme.
Pjesën më të madhe të ofertës e zënë dyqanet që ofrojnë produkte kozmetike dhe bukurie, veshje dhe aksesorë mode, ushqim dhe pije, pajisje shtëpiake dhe elektronike, turizëm, shërbime web dhe përmbajtje dixhitale, arsim, si edhe produkte për shtëpi dhe kopshte./Telegrafi/
