Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka filluar zbatimin e një projekti pilot që parashikon instalimin e kamerave të mençura për identifikimin e hershëm të zjarreve në pyje. Pajisjet do të vendosen në disa prej zonave kritike në mbarë vendin dhe do të monitorohen pa ndërprerje, 24 orë në ditë, nga Qendra Operative e QMK-së.
Të lidhura
None found
Sipas QMK-së, një numër më i madh kamerash tashmë janë aktive, ndërsa rrjeti është në zgjerim drejt rreth 50 kamerave. Me këtë, pritet të rritet ndjeshëm mbulimi i hapësirave pyjore me rrezik të lartë në të gjithë vendin.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, bëri të ditur se objektivi kryesor i këtij projekti është konstatimi sa më i hershëm i zjarreve, në mënyrë që shërbimet përgjegjëse të reagojnë më shpejt dhe koordinimi në terren gjatë ndërhyrjeve të jetë më efikas.
“Kamera me rrotullim 360 gradë, të cilat monitorojnë vazhdimisht zonën dhe drejtohen dhe ndalen automatikisht në vendndodhjen e saktë sapo të detektojë tym ose flakë. Njoftim automatik me anë të email-it dhe mesazhit në Qendrën Operative të QMK-së në detyrë menjëherë pas zbulimit të tymit ose zjarrit”, shpjegon QMK.
Aliu tha se ndërtimi i një sistemi për zbulimin e hershëm të zjarreve ka qenë ndër prioritetet e tij kryesore që prej marrjes së detyrës drejtuese.
“Që nga dita e parë pasi u emërova drejtor i Qendrës së Menaxhimit të Krizave, qëllimi im ishte i qartë – krijimi i një sistemi të zbulimit të hershëm të zjarrit. Sot, kam kënaqësinë të njoftoj se në bashkëpunim me një kompani vendase, kemi instaluar kamera inteligjente në disa zona kritike në vend”, thotë Aliu.
Ai nënvizoi se kjo teknologji sjell mbrojtje më të lartë për pyjet, pronën dhe sigurinë e qytetarëve, duke shtuar se mbrojtja e mjedisit dhe e njerëzve duhet të jetë përparësi.
Qendra e Menaxhimit të Krizave vlerëson se ky projekt pilot shënon nisjen e një kapitulli të ri në sistemin kombëtar të mbrojtjes nga zjarri. Sipas institucionit, përdorimi i teknologjive moderne për zbulim të hershëm është thelbësor për veprim të shpejtë dhe efikas.
