Përballë burgjeve të mbushur, drejtësia shpreson te amnistia

Kushtet çnjerëzore vazhdojnë të shoqërojnë vuajtjen e dënimeve për personat e privuar nga liria në Maqedoninë e Veriut. Hapësirat e mangëta i kanë kthyer institucionet ndëshkimore-korrektuese në objekte të mbingarkuara, gjendje që reflektohet si në mënyrën e akomodimit të të dënuarve, ashtu edhe në marrëdhëniet sociale mes tyre brenda ambienteve të burgut.

Të lidhura

None found

Të dhënat e Avokatit të Popullit tregojnë se krahasuar me 2024-ën, mbipopullimi në institucionin e Idrizovës gjatë vitit 2025 është dyfishuar. Ndërsa kapaciteti parashikon praninë e 1.187 të burgosurve, aty janë regjistruar 1.402 persona, domethënë 215 më tepër. Edhe në Burgun e Shtipit situata është e rëndë: kundrejt maksimumit prej 139 vendesh janë numeruar 255 të dënuar, ose 116 më shumë se sa lejohet. Dy reparte të Shutkës mbajnë gjithsej 79 persona mbi kapacitetin e miratuar, tepricat në Prilep arrijnë 35, ndërsa në Manastir 22 të burgosur.

Në vend që të investohet në zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve – ashtu siç rekomandon Avokati i Popullit për të garantuar trajtim të dinjitetshëm – administrata burgore po kërkon daljen nga kriza përmes amnistisë. Skema e propozuar parashikon heqjen e mbajtjes së dënimit nga 10 deri në 20 për qind për disa lloje veprash penale. Fjala përfundimtare për këtë masë, megjithatë, mbetet në duart e Ministrisë së Drejtësisë.

Praktika e tillë nuk është e panjohur për vendin. Në vitin 2018, me qëllim të shkarkimit të burgjeve, ishin liruar 750 persona të dënuar.

Sidoqoftë, ekspertët paralajmërojnë se amnistia duhet trajtuar me kujdes. Një analizë e Shoqatës Maqedonase të Penologjisë mbi efektet e kësaj masës thekson se, në mungesë të risocializimit, shumë shpesh personat e amnistuar përfundojnë sërish pas hekurave, ndaj ajo nuk përbën zgjidhje reale përballë mbingarkesës.

Pikërisht për këtë arsye theksohet domosdoshmëria e përforcimit të sistemit të probacionit, në kuadër të të cilit të dënuari mbikëqyren dhe rehabilitohen jashtë burgut, në vend që ta vuajnë dënimin pas hekurave, kur kjo e lejon vendimi i gjykatës. Megjithëse ky mekanizëm funksionon prej vitesh, Komisioni Evropian ka vënë theksin mbi nevojën e zbatimit të tij më të shpeshtë.

Ministri paraprak i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka paraqitur zgjidhjen e re ligjore, e cila pritet ende të kalojë në procedura miratimi. Sipas prezantimit, legjislacioni i ri synon të forcojë mbikëqyrjen dhe risocializimin e personave të dënuar, duke mundësuar zbatim më efikas të masave alternative ndaj burgut.

Në kuadër të ndryshimeve parashikohet mbikëqyrje elektronike për personat me masë të arrestit shtëpiak, vlerësim i rrezikut dhe programe individuale rehabilitimi, qëllimi i të cilave është parandalimi i përsëritjes së veprave penale. Për herë të parë, draft-ligji përmban edhe një kapitull të veçantë kushtuar mbrojtjes së viktimave, kryesisht në rastet e dhunës familjare dhe asaj me bazë gjinore. /Alsat/


Shtuar më 12.10.2026 22:33