Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht 168 pacientë janë në listë pritjeje për transplant të veshkave, 37 presin zemër, 12 mëlçi dhe 23 korne.
Të lidhura
None found
Për modulin e ri në sistemin “Termini Im”, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre për dhurim organesh, folën ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe koordinatorja kombëtare për transplantim, Biljana Kuzmanovska.
Pas ndryshimeve ligjore, çdo qytetar madhor do të mund, gjatë vizitës te mjeku i kujdesit parësor, të deklarojë nëse dëshiron ose jo të jetë dhurues i organeve dhe indeve për trajtim pas vdekjes. Ky vendim do të nënshkruhet nga vetë personi, do të vërtetohet nga mjeku i përzgjedhur dhe më pas do të regjistrohet në sistemin elektronik kombëtar.
“Sot, dhurimi i organeve është çështje besimi, vullneti individual, solidariteti dhe pjekurie shoqërore”, deklaroi ministri Aliu.
Sipas Ministrisë, qasja në këto të dhëna do të jetë nën kontroll të rreptë dhe do t’u mundësohet vetëm personave të autorizuar. Po ashtu, qytetarët do të kenë të drejtë ta ndryshojnë vendimin e tyre në çdo moment, ndërsa e vlefshme do të konsiderohet deklarata e fundit e regjistruar.
Parashikohet që sistemi i ri të vihet në funksion nga 1 tetori 2026. Deri atëherë, do të vazhdohet me përgatitjet teknike, institucionale dhe të komunikimit.
Kuzmanovska nënvizoi se dhurimi i organeve mbetet tërësisht vullnetar dhe se synimi është që në qendër të sistemit të vendoset vullneti i qytetarit./Telegrafi/
