MPB-ja nis procedura ndaj gjashtë policëve për përdorim të tepruar të forcës

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ndaj gjashtë zyrtarëve policorë do të hapen procedura për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë, ndërsa ndaj tyre do të ndërmerren edhe masa për pezullim nga detyra.

Të lidhura

None found

Masat lidhen me incidentin e 7 tetorit 2026, gjatë të cilit, sipas MPB-së, zyrtarët policorë kanë përdorur forcë të tepruar fizike dhe u kanë shkaktuar lëndime trupore disa individëve gjatë kryerjes së detyrës.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në kuadër të MPB-së po zhvillon veprimet përkatëse lidhur me rastin.

Pas shqyrtimit të materialeve të mbledhura, përfshirë pamjet e incidentit dhe dëshmitë e dëshmitarëve, janë evidentuar disa parregullsi në veprimet e zyrtarëve. Për këtë arsye, ndaj gjashtë policëve do të iniciohen procedura disiplinore dhe do të vendoset pezullimi i tyre nga detyra.

MPB-ja ka bërë të ditur gjithashtu se për raportimet mbi incidente penale, të dorëzuara në Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale, si dhe në Sektorin për Çështje të Brendshme të Shkupit, prokuroritë publike kompetente kanë urdhëruar kryerjen e ekspertizave mjeko-ligjore.

Procedurat për këto ekspertiza janë në zhvillim. Pas kompletimit dhe dokumentimit të të gjitha provave, autoritetet do t’i dorëzojnë parashtresat përkatëse./Telegrafi/


Shtuar më 11.10.2026 14:29