Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në RMV u rikujton fermerëve se aplikimet për mbështetje financiare në kuadër të Programit të Mbështetjes Financiare në Bujqësi për vitin 2026 mund të dorëzohen deri më 30 shtator 2026.
Të lidhura
None found
Procesi i aplikimit kryhet online, përmes platformës elektronike të publikuar në faqen e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Fermerët mund ta plotësojnë dhe ta dorëzojnë kërkesën vetë, ndërsa për asistencë mund t’u drejtohen edhe njësive rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Për t’ua lehtësuar përdorimin e sistemit dhe për t’i informuar më qartë rreth procedurave, është hartuar Udhëzuesi për Pagesat Direkte në Bujqësi për vitin 2026. Në të janë përfshirë masat mbështetëse, kriteret, vlera e përfitimit, detyrimet e aplikuesve, si dhe hapat për paraqitjen dhe ndjekjen e kërkesave.
“Aplikimet për subvencionet e vitit 2026 mund të dorëzohen deri më 30 shtator. Udhëzuesi që përmban masat, kushtet dhe procedurën e aplikimit është në dispozicion në njoftim, ndërsa ndihma ofrohet edhe në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave”, shkroi ministri i MBPU-së, Borçe Serafimovski./Telegrafi/
