Duke shënuar nisjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, që do të zhvillohet në Çarshinë e Vjetër nga sot e deri më 26 korrik, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi fillimin e një tradite të re kulturore për këtë komunë dhe Shkupin.
Të lidhura
None found
Gjatë konferencës së sotme për mediat, Mexhiti vuri në dukje se, nën udhëheqjen artistike të sopranove Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, të pranishmit do të kenë rastin të shijojnë një program të larmishëm, i cili përfshin muzikë klasike, opera, flamenko dhe zhanre të tjera që ndërthurin trashëgiminë me interpretimet bashkëkohore.
Duke e cilësuar këtë ngjarje si një pasurim të kalendarit kulturor, ai u shpreh se edicioni i parë i këtij festivali, një nismë me synim për t’u kthyer në traditë vjetore, do të zhvillohet në dy objektet më emblematike të trashëgimisë sonë – Suli An dhe Kurshumli An. Sipas tij, këto hapësira gjatë katër netëve do të presin artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kryetari Mexhiti sqaroi se përzgjedhja e këtyre lokacioneve nuk ka qenë aspak e rastësishme. Duke vënë në pah rëndësinë historike, ai theksoi se Çarshia e Vjetër e Shkupit ka shërbyer përherë si pikëtakim i kulturave, njerëzve dhe historisë, andaj beson se pikërisht ky është ambienti i duhur ku arti merr një rol edhe më të fuqishëm në hapësirën publike dhe ndërton një urë të natyrshme mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë moderne.
Mexhiti shprehu bindjen e tij se investimi në kulturë ka po të njëjtën peshë si investimet në sektorët e tjerë të zhvillimit urban. Në fund të fjalës së tij, nënvizoi se përmes këtyre projekteve hapen dyert për artistët, u ofrohet qytetarëve përmbajtje kulturore cilësore dhe njëkohësisht fuqizohet promovimi i identitetit kulturor dhe historik të Çairit e Shkupit. Synimi i komunës, shtoi ai, është që ky festival të shndërrohet në një platformë të qëndrueshme, e cila do të rritet në cilësi dhe larmi nga viti në vit, duke tërhequr artistë dhe vizitorë nga i gjithë rajoni e më gjerë, dhe duke pasuruar ofertën kulturore të kryeqytetit.
I pranishëm në këtë konferencë ishte gjithashtu edhe ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, përkrah dy artisteve të njohura të operës, Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti.
