Gjatë një aksioni të posaçëm në komunikacion, të përqendruar te respektimi i rregullave nga këmbësorët, në të gjithë territorin e shtetit janë evidentuar 189 shkelje, njofton MPB Maqedoni.
Të lidhura
None found
Kontrolli u zhvillua më 2 shtator nga Sektori për Punë të Trafikut pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në intervalin kohor 10:00-15:00.
Bilanci më i lartë u shënua në territorin e SPB Shtipit, me 57 shkelje. Pas tij renditen SPB Manastir dhe SPB Strumicë, me nga 32 raste secila, ndërsa në zonën e SPB Tetovë u konstatuan 27 shkelje.
Prej totalit të rasteve, 159 lidhen me kalimin e rrugës në mënyrë të pasigurt. Këtu përfshihet kalimi jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë ose në pika që nuk janë përcaktuar për këtë qëllim.
MPB-ja bën të ditur se për çdo shkelje të konstatuar janë marrë masat përkatëse, në përputhje me dispozitat ligjore.
Ministria njofton se kontrollet e përforcuara në trafik do të vijojnë, me synimin për të rritur sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Njëkohësisht, këmbësorëve u bëhet thirrje të zbatojnë rregullat e trafikut dhe ta kalojnë rrugën vetëm në vendkalimet e shënuara ose në hapësira të tjera të përcaktuara për kalim të sigurt.
