Nëpunësit policorë kanë arrestuar 14 persona gjatë 24 orëve të fundit në kontrollet e zhvilluara në të gjithë territorin e shtetit. Ata dyshohen për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”, të parashikuar në nenin 297-a të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Nga të ndaluarit, 10 persona, përfshirë tre të mitur, janë kapur duke drejtuar automjete pa patentë shoferi. Te njëri prej këtyre drejtuesve është gjetur edhe një lëndë e bardhë në formë pluhuri. Tre persona të tjerë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit gjatë drejtimit të automjetit, ndërsa njëri prej tyre është përfshirë në një aksident rrugor. Një person është ndaluar pasi ka lëvizur në kahun e kundërt në një rrugë njëkahëshe. Pas dokumentimit të plotë të secilit rast, ndaj personave do të dorëzohen kallëzimet përkatëse penale.
Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të zbatojnë me përpikëri rregullat dhe dispozitat rrugore. MPB-ja kërkon që qytetarët të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, kur ndaj tyre është shqiptuar masë ndalimi për drejtim, apo nën ndikimin e alkoolit. Sipas ministrisë, përgjegjshmëria në komunikacion është detyrim i përbashkët dhe kushti kryesor për rritjen e sigurisë së të gjithë qytetarëve.
