Kongresi i ASH-së së Taravarit, shkarkoi Selën, ndryshime edhe në statutin e partisë

Me ndryshimet e statutit të ASh-së, të miratuara në Kongresin e jashtëzakonshëm që është mbajtur dje në Shkup nga krahu i Arben Taravarit, do të ketë ndryshime në Kuvendin e partisë.

Ziadin Sela nuk do të jetë më kryetar i Kuvendit të ASh-së dhe funksionin e tij do ta bartë lideri aktual i partisë, Arben Taravari, bëhet e ditur nga ASH-ja, transmeton TV21.

Blerant Ramadani në paraqitje para mediave ka bërë të ditur se janë shfuqizuar edhe vendimet e marra në mbledhjen e Kuvendit të ASh-së, të thirrur nga Ziadin Sela më 10 shkurt 2024 në Shkup.

Ja disa nga vendimet që i kanë sjellë delegatët e ASh-së në kongresin e djeshëm:

“U miratua kandidatura për President të Republikës e Kryetarit të Partisë, Arben Taravari, si propozim i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët i përkrahur nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit 2024”.

“U shfuqizuan vendimet e mbledhjes jolegjitime të Kuvendit të Partisë, mbajtur në më 10 shkurt 2024, pasi që e njëjta u karakterizua me shkelje të shumta statutare, manipulime dhe falsifikime tanimë të faktuara, për të cilat sot të karakterizuar me manipulime dhe falsifikime Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi ngritjen e një padie penale ndaj abuzuesve”.

“U miratua ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët, duke shfuqizuar ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e III të jashtëzakonshëm mbajtur më 24 dhjetor 2022, dhe rikthyer versionit paraprak të statutit, miratuar më 27 mars 2022 në Kongresin e II të Partisë, me synim të eliminimit të disfunksionaliteteve në vendim-marrjen partiake. Një nga implikimet imediate të këtyre ndryshimeve është çbërja e pozitës së Kryetarit të Kuvendit dhe të kompetencave të organit të njohur paraprakisht si Kryesia e ngushtë e partisë”.