Politika shqiptare uron Kosovën për Pavarësinë! Rama: Gëzuar! Begaj e Nikolla: Jemi krah jush! Basha: Keni sfida, por do ia dilni

Krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e politikës shqiptare kanë uruar Kosovën në këtë ditë të veçantë, teksa feston 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Jashtëm, Igli Hasani sigurojnë Kosovën se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah saj.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën”, shkruan Begaj.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Ndersa, deputeti demokrat, Gazment Bardhi në një postim në Facebook, shkruan se sfidat e Kosovës do zgjidhen me mbështetjen e partnerëve strategjikë.

“16 vjet shtet. Një rrugëtim i ngritur mbi sakrifica. Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen. Krenar për çdo arritje dhe inkurajues për sfidat që e presin, për të cilat kam bindjen se do të realizohen falë mbështetjes së partnerëve strategjik. Gëzuar për çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se Kosova ka ende sfida përpara, por me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! 17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi”- shkruan Basha.


Shtuar 17.02.2024 11:09