Ministri Toshkovski deklaroi se i mituri i plagosur ndodhet në gjendje tepër të rëndë dhe po lufton për jetën.
Të lidhura
None found
“Një person është aktualisht në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe rrezikon jetën. Ai është i mitur, ndërsa të dhënat fillestare të siguruara nga shërbimet e Ministrisë tregojnë se edhe autori i veprës penale është i mitur. Të dy fëmijët, si ai që pësoi lëndime të rënda trupore, ashtu edhe ai që ia shkaktoi ato, i përkasin të njëjtës gjeneratë dhe kanë lindur në vitin 2012”, u shpreh ministri.
Sipas Toshkovskit, rastet e dhunës së rëndë të kryera nga të miturit janë një problem që prek jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe shtetet e mëdha dhe të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Ministri nënvizoi se bëhet fjalë për vepra penale me një nivel jashtëzakonisht të lartë dhune, ndërsa mënyra e reagimit penal dhe shoqëror nuk mund të jetë e njëjtë me atë që zbatohet ndaj personave madhorë.
“Si shoqëri duhet ta analizojmë më thellë këtë problem dhe të ndërtojmë një përgjigje gjithëpërfshirëse institucionale. Në këtë proces duhet të përfshihen ministritë përgjegjëse dhe të gjithë aktorët shoqërorë, përfshirë prindërit, qendrat sociale, MPB-në, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrinë e Arsimit, qendrat shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Pa dyshim, kjo është një nga sfidat më të rënda me të cilat po përballemi”, theksoi Toshkovski.
