Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi sot një vizitë pune në Komunën e Bogovinës, ku bashkë me kryetarin Feti Abazi dhe zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, panë nga afër projektet infrastrukturore që po zbatohen me përkrahje financiare nga Ministria.
Të lidhura
None found
Në këtë komunë, MMJPH po mbështet tre projekte me një shumë prej rreth 60 milionë denarësh. Bëhet fjalë për ndërtimin e kanalit për ujërat atmosferikë në vendbanimin Pirok, rregullimin e shtratit të lumit Kusha në Pallçisht të Poshtëm, si dhe rregullimin e shtratit të lumit në Kamjan, realizimi i të cilit pritet të nisë së shpejti.
Zbatimi i këtyre ndërhyrjeve mundëson mbrojtje më efikase nga ujërat atmosferikë dhe rrjedhat e rrëmbyeshme, ul rrezikun nga përmbytjet dhe përmirëson sigurinë e jetesës për banorët e zonës.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor vijon të orientojë investime në projekte infrastrukturore në të gjithë vendin, pasi investime të tilla kapitale krijojnë bazën për kthesën e gjelbër dhe ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm, në rritjen e qëndrueshmërisë përballë sfidave klimatike dhe në sigurimin e një mjedisi më cilësor jetësor për të gjithë qytetarët.
