Greqia akuzoi të hënën qeverinë e re të qendrës së djathtë të Maqedonisë së Veriut për thyerjen e marrëveshjes historike për emrin e vendit, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë shpresat e saj për tu bashkuar një ditë me Bashkimin Evropian. Athina zyrtare ka reaguar një ditë pasi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski përdori vazhdimisht emrin e vjetër, Maqedoni, duke thënë se ai e konsideronte emrin e ri të vendit të tij, sipas marrëveshjes, të turpshëm.
Marrëveshja e vitit 2018 me Greqinë, e cila pretendon Maqedoninë si emrin e një prej rajoneve të saj, u nënshkrua nga qeveria e qendrës së majtë që Mickoski e mposhti në zgjedhjet e 8 majit. Ajo i dha fund një grindjeje dekadash mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore, dhe përcaktoi që vendi do të miratonte zyrtarisht emrin e ri, Maqedonia e Veriut.
Marrëveshja ia mundësoi Maqedonisë së Veriut që më vonë të anëtarësohej në NATO. Duke folur në Parlament të dielën, përpara një votimi për të miratuar qeverinë e tij të re, Mickoski përdori vazhdimisht emrin e vjetër, Maqedoni. Por pak më vonë në betimin e tij zyrtar, ai përdori emrin e plotë zyrtar të vendit.
“(Unë) do të duhet të kapitulloj para jush dhe ta them atë mbiemër të turpshëm, sepse është, për fat të keq, pjesë e ligjit dhe Kushtetutës që duhet ta respektoj si kryetar i qeverisë”, u ka thënë Mickoski deputetëve.
Si një anëtare e BE-së, Greqia mund të pengojë pranimin e fqinjit të saj, gjë që një tjetër fqinj dhe anëtar i ballkanik i bllokut, Bullgaria, po e bën tashmë për një mosmarrëveshje të veçantë me Maqedoninë e Veriut në lidhje me çështjet e pakicave.
Të hënën, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka thënë se pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ishte i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm pa respektimin e plotë dhe të pakushtëzuar të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e emrit me Greqinë. Gerapetritis ka thënë se lidershipi i ri i Maqedonisë së Veriut ka vendosur, sistematikisht dhe me këmbëngulje, të mos e përdorë (emrin Maqedonia e Veriut) brenda vendit në diskursin publik.
“Kjo është një shkelje e qartë që kërkon përdorimin e emrit Maqedonia e Veriut si brenda dhe jashtë vendit”, ka deklaruar ai.
Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, e zgjedhur gjithashtu në maj dhe e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE e Mickoskit, ngacmoi zyrtarët grekë dhe të BE-së muajin e kaluar duke e quajtur vendin e saj Maqedoni, gjatë betimit të saj për detyrën. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më vonë insistoi se ajo kishte të drejtë njerëzore t’i referohej vendit ashtu siç dëshironte.