BDI-ja po përballet me një tjetër largim. Blerim Idrizi ka bërë të ditur se jep dorëheqjen nga posti i anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të partisë dhe se njëkohësisht i jep fund aktivitetit të tij partiak.
Të lidhura
None found
Vendimin e tij, Idrizi ua ka komunikuar bashkëpartiakëve, miqve dhe aktivistëve të BDI-së përmes një mesazhi, ku sqaron se arsyet e këtij hapi janë personale, por edhe parimore.
“Nuk duhet ta mbaj peng këtë funksion dhe është koha t’u hapet rrugë aktivistëve të tjerë, të cilët në këtë moment mund të japin një kontribut më efektiv”, shprehet Idrizi.
Duke përmendur pasojat e humbjes në zgjedhjet lokale dhe procesin e ristrukturimit në degët e partisë, ai thekson se nuk e konsideron më të arsyeshme vazhdimin e pjesëmarrjes së tij në organet më të larta të BDI-së.
Idrizi deklaron se përgjatë gjithë veprimtarisë politike ka dhënë kontribut “të sinqertë, transparent dhe të palëkundur”. Ai përmend gjithashtu se është përballur me ato që i cilëson si “shpifje dhe përpjekje për njollosjen e figurës të tij”.
Dorëheqja e Blerim Idrizit ndodh në një kohë kur BDI-ja po përballet me pasojat politike dhe me riorganizimin e brendshëm, duke ngritur më tej pikëpyetje për gjendjen e strukturave partiake pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale.
Ky largim përbën një tjetër tregues se pakënaqësitë dhe lëvizjet në strukturat e BDI-së po vazhdojnë.
